mardi 3 octobre 2023

Kriza në Lampeduza si një sfidë e re për politikat migratore të Bashkimit Europian

 

Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet në parlamentin europian, Bashkimi Europian (BE) po përballet me një situatë, jo dhe aq të papritur, të lidhur me çështjen e emigracionit. Që nga fillimi i vitit mbi 150,000 emigrantë kanë zbarkuar në ishullin e Lampeduzës. Ndërkohë që ende ndihen efektet e pandemisë së Covid19 dhe Europa po përballet me ato të shkaktuara nga lufta në Ukrahinë, tashmë asaj i duhet të gjejë një zgjidhje të përbashkët fluksit të madh të emigrantëve që po zbarkojnë çdo ditë në këtë ishull të vogël italian. Vetëm në ditët e fundit mbërritën mbi 10,000 mijë emigrantë në këtë hapësirë të ngushtë prej vetëm 20km², shumica të nisur nga Tunizia dhe Libia. Situata, tashmë dramatike, ka shkaktuar debate të forta politike në Itali dhe ka shtuar nevojën për masa të shpejta për menaxhimin e kësaj situate humanitare.

Qeveria e Xhorxhia Melonit dhe aleatëve të saj të koalicionit të ekstremit të djathtë janë përballur me kritika të forta nga opozita e majtë e cila i akuzon për keqmenaxhim të situatës, apo edhe më, për instrumentalizimin të saj në kuadër të zgjedhjeve parlamentare europiane. Meloni njoftoi për një ashpërsim të ligjit të emigracionit, krijimin e qendrave të reja të pritjes, dhe rritjen e kohëzgjatjes së së ndalimit të emigrantëve nga 135 ditë në 18 muaj, etj. Nga ana e saj qeveria e saj u mbrojt edhe duket treguar me gisht politikat e paqarta të vetë BE’s i cili në një farë mënyrë e ka braktisur Italinë në përballjen e saj me këtë krizë. 


Fakt është që BE nuk flet me një zë përsa i përket kësaj çështjeje : disa vende të BE, sidomos ato të ish-Europës lindore, kanë shprehur haptas kundërshtimin e tyre për të pritur emigrantë në rast shpërndarjeje së tyre në shtetet e BE’s. Nga ana tjetër, duket se ka një krisje mbi këtë çështje midis dy fuqive europiane, Francës dhe Gjermanisë. Përmes ministrit të saj të jashtëm Antoni Tajani, Italia përshëndeteti “detyrën për një solidaritet europian” të shprehur nga presidenti Emanuel Makron, por kritikoi qasjen e Gjermanisë, e akuzuar se po financon OJQ-të që veprojnë në detin Mesdhe. Kryeministria italiane Meloni në një dalje të saj në media la të nënkuptohej se Gjermania nuk duhet të bënte solidaritet në kurriz të Italisë... 

Në të shkuarën kemi para se çështjet që lidhen me emigracionin prodhojnë kriza të cilat mund të ndikojnë qoftë në çështjet e brendshme të shteteve anëtare të BE’s, qoftë në negociatat gjeopolitike midis tyre. Ndaj, kjo situatë nuk mund të jetë veçse një problem Italian, por duhet të konsiderohet në rrafshin e BE’s për një koordinim dhe marrëveshje afatgjatë. Jo më kot, në 17 shtator 2023, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, vizitoi Lampeduzën sëbashku me kryeministren italiane Xhorxhia Meloni për të parë nga afër situatën dhe propozoi më pas një plan me 10 pika për ta ndihmuar Italinë për të përballur këtë krizë. Ky plan përfshin ndër të tjera, ndihma financiare dhe masa për forcimin e kufijve të jashtëm të BE’s për të menaxhuar më mire flukset e emigracionit.

 

 

mercredi 27 septembre 2023

Një kapitull francez që mbyllet në Niger ? Franca duhet të rishohë politikat e saj në Afrikë

 

Presidenti francez Emanuel Makron thirri ambasadorin francez në Niger dhe njoftoi largimin e 1,500 ushtarëve francezë nga ky vend. Ky vendim shënon një kthesë të madhe në politikat franceze në kontinentin afrikan. Ai vjen pas grushtit të shtetit të një junte ushtarake që ndodhi më 26 korrik 2023 në Niamei, kryeqytetin e  Nigerit dhe arrestimit prej tyre të presidentit të zgjedhur dhe të mbështetur nga Franca, Mohamed Bazum. Kjo gjendje ka detyruar Francën të rishikojë pozicionin e saj në Afrikë.

Pas grushtit të shtetit, Franca mbajti një pozicion të palëkundur në mbështetje të Mohamed Bazumit, duke e bazuar këtë në legjitimitetin që atij i buronte nga zgjedhjet. Megjithatë, me kalimin e kohës ky pozicion i Francës u bë i vështirë për t’u mbajtur pas protestave kundër interesave franceze në vend, dhe, simbolikisht, sidomos atyre të zhvilluara para ambasadës në Niamei.  Edhe pse u përfol për një ndërhyrje ushtarake rajonale për të rivendosur rendin kushtetues në Niger, kjo perspektivë u shua pasi mund të përkeqësonte situatën edhe më.


Franca kishte dërguar 1,500 ushtarë në Niger në kuadër të politikës së saj kundër terrorizmit në Sahel, por kjo prezencë është kritikuar nga ushtarakët puçistë. Ky qëndrim, nuk është i izoluar, pasi vjen pas një seri grushtesh shteti të ndodhur së fundmi pikërisht në shtetet e Afrikës frankofone, ku mund të vihet re se po kristalizohet edhe një sentiment anti-francez që e ka dobësuar legjitimitetin e Francës në këtë rajon. Francës tani i duhet të rishikojë praninë dhe pozicionin e saj në Afrikë, duke marrë parasysh aspiratat identitare të brezave të rinj afrikanë.

Gjithsesi, largimi i Francës nga Nigeri sjell sfida të mëdha për rajonin dhe thekson nevojën për të gjetur një qasje të re në marrëdhëniet franko-afrikane, marrëdhënie që dukshëm duhen rimenduar duke marrë parasysh historinë e tyre që pas periudhës së fundit të kolonizimit.

Pikërisht kësaj pike i rreh edhe regjimi ushtarak në Niger, i cili e akuzon Francën se duke dashur të ndërhyjë ushtarakisht në Nigeri për të rivendosur në pushtet Mohamed Bazumin, vazhdon të veprojë si një fuqi koloniale, akuzë që u refuzua me forcë nga Parisi dhe pasoi me tërheqjen e ambasadorit dhe forcave të saj ushtarake në vend.

Duhet thënë, që këto vendime tregojnë një kthesë në politikën afrikane të Francës që vjen pas tërheqjes së trupave të saj ushtarake edhe nga Mali, nga Afrika Qendrore dhe nga Burkina Faso. Pas verës së nxehtë, marrëdhëniet franko-afrikane duket se po kalojnë një periudhë të ftohtë që me siguri do të pasohet nga një tjetër, le ta quajmë një periudhë rikompozimi që ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e marrëdhënieve franko-afrikane. Fakt është që në në shahun e gjeopolitikës Franca duhet të përshtatet politikisht në nivel rajonal me një realitet të ndryshuar në Afrikë, kurse në nivel global duhet të marrë parasysh edhe lojën e fortë të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.  

dimanche 24 septembre 2023

Miliarderi Musk si aktor gjeopolitik në konfliktin ruso-ukrahinas

Në skenën e gjeopolitikës botërore, zbuluam befas një emër të papritur : Elon Musk, miliarderi amerikan, i njohur për kompanitë e tij Tesla, SpaceX, apo rrjetin social X, ish-Twitter, është bërë një aktor me ndikim të drejtëpërdrejtë në një ngjarje të fundit të luftës në Ukrainë. Një biografi e re e autorizuar e shkruar nga Walter Isaacson, zbulon se si Musk ka luajtur një rol vendimtar në një episod të këtij konflikti kompleks, duke nxjerrë në pah lehtësinë që mund të kenë disa sipërmarrës privat për të ndërhyrë si aktorë gjeopolitikë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve. 

Prej vitit 2022, Ukraina po përballet me një sfidë të madhe që prej agresionit që Rusia ndërmori në territorin e saj. Ushtria ukrainase kishte planifikuar një sulm me dronë detarë kundër flotës ruse në Detin e Zi, një operacion që kërkonte mbulimin satelitor të rrjetit Starlink, i zotëruar nga Musk. Por, mesa mësojmë nga biografia e Musk, miliarderi vendosi të çaktivizonte këtë mbulim mbi rajonin e Krimesë, me qëllim për të parandaluar sulmin. Me anë të këtij vendimi, ai mendonte se do të shmangte një sulm bërthamor rus ose një luftë të tretë botërore. 


Vendimi i Musk nuk është ndonjë kapriço e një miliardari që pasi ka publikuar disa twitte komike në X, gjeti kohë dhe të ndërhynte në konfliktin ruso-ukrahinas. Duket që Musk ka qenë i vëmendshëm ndaj këtij konflikti dhe deklaratave të aktorëve të përfshirë në të. Gjithsesi, ja vlen të shtrojmë disa pyetje: Nga buron legjitimiteti i Elon Musk për të ndikuar në një konflikt të caktuar ? Fakti që ai ka monopolin e një teknologjie të caktuar, a i jep atij edhe të drejtën për të ndikuar në rrjedhën e konfliktit ? Ndërkohë që administrata amerikane derdh me miliona dollarë në këtë konflikt, a ka pasur bashkërendim mes saj dhe një aktori privat si Musk ? 

Ngjarja, e cila mund të duket episodike, vë në dukje disa sfida të gjeopolitikës bashkëkohore. Veprimet e aktorëve privatë, si ato të miliarderit Musk, që me anë të fuqisë së tyre financiare mund të ndërhyjnë në çdo situatë ndërkombëtare, qoftë ky konflikt, negociata, etj.) ngrenë pyetje mbi aftësinë dhe fuqinë e Shteteve për t'i mbajtur nën kontroll këta aktorë kontroversë të gjeopolitikës. Kjo, pasi veprimet e tyre mund të kenë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve – Ukrahina, për shembull, shprehu indinjatën e saj për këtë ndërhyrje të Musk, ashtu si të tjerë e përshëndetën atë për ndërhyrjen e tij në konflikt. Por, nga ana tjetër, përtej indinjatës së shprehur, Ukrahina s’mund të bëjë më shumë, pasi funksionimi i disa sektorëve të saj ushtarakë (përdorimi në komunikacion apo i dronëve) varet kryesisht nga përdorimi i Starlink së Musk. 

Kjo situatë sjell në pah nevojën për Shtetet të rishikojnë rolin dhe aftësinë e tyre për të kontrolluar aktorët privatë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët në mënyrë progresive kanë rritur ndikimin e tyre në kompleksitetin e pejsazhit gjeopolitik. Gjithashtu, kjo çështje ngre pyetje mbi kapacitet e demokracive perëndimore për të mbështetur me logjistikë e duhur aleatët e tyre në rast konflikti, pa pasur nevojë që të varen nga burimet teknologjike të aktorëve privatë. Një pyetje gjithsesi mbetet për t’u përgjigjur në të ardhmen : ndoshta diplomacisë botërore i duhet të kompozojë tashmë me këta aktorë (jo dhe aq të rinj) të gjeopolitikës të cilët janë bërë tashmë faktorë në marrëdhëniet ndërkombëtare ?

vendredi 22 septembre 2023

Kthesë dramatike në Karabakun e Sipërm: Kapitullimi i Republikës së Artsak dhe pasojat e tij

Pas një beteje 24 orëshe mes forcave azerbajxhanase dhe forcave separatiste armene në Karabakun e Sipërm që shkaktoi mbi 200 të vrarë, këto të fundit firmosën armëpushimin sipas kushteve të ushtrisë azerbajxhanase. Konflikti 30 vjeçar që njohu dhe dy kulme të përgjakshme ne 1994 dhe ne 2020, përfundoi kështu në mënyrë të befasishme brenda 24 orëve. Të gjetur të vetëm pas vendimit të Armenisë për të mos ndërhyrë ushtarakisht në konflikt dhe mos përfshirjes së ushtrisë paqeruajtëse ruse, separatistëve armenë nuk ja la rrugë tjetër por të pranonin dokumentin e kapitullimit të përpiluar nga Baku. 


Ndërkohë që ndjekim prej muajsh sesi lufta në Ukrahinë ka hyrë në një spirale kohore prej të cilës vështirë se do të dalë së shpejti, përplasja midis forcave azerbajxhanase dhe armene ka shkuar shumë më shpejt se ç’mund të imagjinohej duke shënuar kështu edhe fundin e të Republikës së autoproklamuar të Artsak nga ana e separatistëve armenë. 

Katër aktorët kryesore të këtij konflikti luajtën një rol kyç në këtë histori : 
    - Së pari, Republika e Armenisë, që me anë të kryeministri të saj Nikol Pashinian vendosi të mos mbështeste ushtarakisht separatistët armenë. Kjo ishte një zgjedhje e detyruar prej duke pasur parasysh që forcat ushtarake azerbajxhanase ishin superiore ndaj atyre armene, por edhe një mënyrë për t’ju shmangur rrezikut të zhvendosjes së luftës brenda kufijve armenë. 
    - së dyti, Rusia, e cila ka rreth 2000 forca paqeruajtëse në këtë rajon, e cila jo vetëm që nuk ndërhyri për të kryer misionin e saj, por me sa duket lehtësoi firmosjen e kapitullimit nga separatistët. Kjo mund të interpretohej edhe si shenjë dobësie e prezencës së tyre në këtë rajon të Kaukazit, por në fakt, duket se rusët i kanë lënë armenët në mëshirë të fatit, pasi ata e kanë një dhemb kundër kryeministrit armen aktual Pashinian, i cili politikisht është i orientuar nga bota perëndimore. Mjafton të shohësh mediat ruse teksa e trajtojnë si një bukëshkalë në marrëdhëniet me Rusinë për të kuptuar rolin e kësaj të fundit në këtë konflikt. Nga ana tjetër, zëra kundër Pashinianit ja ngritur madje jo vetëm nga nacionalistët armenë të cilët e akuzojnë atë për tradhti e që tek rusët shihnin një aleat pragmatik, por edhe nga vetë opozita armene. 
    - së treti, Turqia, e cila i është gjendur pranë Bakut gjatë gjithë këtij konflikti dhe që në 24 orëshin e fundit gjeti një vitrinë për të reklamuar sërish efikasitetin e dronëve të saj Bajraktarë, prestigji i të cilëve ishte zbehur disa në luftën në Ukrahinë. 
    - së fundmi, Azerbaxhani - mbeten për t’u parë pasojat e këtij kapitullimi që do të shihen në vazhdim, pasi Baku nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për ripërfshirjen e këtij territori brenda kufijve të tij. Kësisoj, natyrshëm shtrohet pyetja mbi armenët etnikë që e banojnë këtë rajon, shumë prej të cilëve kanë filluar të braktisin vendin me shpejtësi pa pritur rezultatin e bisedimeve. 

Ndërkohë që debatohet ashpër në OKB mbi luftën në Ukrahinë dhe raketat ruse godasin pandërprerë objektivat ushtarakë dhe infrastrukturën civile ukrahinase, mbetet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja e ardhshme ruse në këtë rajon të Kaukazit tanimë që qeveria armene nga një anë dhe ushtria azerbajxhanse nga ana tjetër i kanë nxjerrë jashtë loje.

Kriza në Lampeduza si një sfidë e re për politikat migratore të Bashkimit Europian

  Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet në parlamentin europian, Bashkimi Europian (BE) po përballet me një situatë, jo dhe aq të pap...