vendredi 22 septembre 2023

Kthesë dramatike në Karabakun e Sipërm: Kapitullimi i Republikës së Artsak dhe pasojat e tij

Pas një beteje 24 orëshe mes forcave azerbajxhanase dhe forcave separatiste armene në Karabakun e Sipërm që shkaktoi mbi 200 të vrarë, këto të fundit firmosën armëpushimin sipas kushteve të ushtrisë azerbajxhanase. Konflikti 30 vjeçar që njohu dhe dy kulme të përgjakshme ne 1994 dhe ne 2020, përfundoi kështu në mënyrë të befasishme brenda 24 orëve. Të gjetur të vetëm pas vendimit të Armenisë për të mos ndërhyrë ushtarakisht në konflikt dhe mos përfshirjes së ushtrisë paqeruajtëse ruse, separatistëve armenë nuk ja la rrugë tjetër por të pranonin dokumentin e kapitullimit të përpiluar nga Baku. 


Ndërkohë që ndjekim prej muajsh sesi lufta në Ukrahinë ka hyrë në një spirale kohore prej të cilës vështirë se do të dalë së shpejti, përplasja midis forcave azerbajxhanase dhe armene ka shkuar shumë më shpejt se ç’mund të imagjinohej duke shënuar kështu edhe fundin e të Republikës së autoproklamuar të Artsak nga ana e separatistëve armenë. 

Katër aktorët kryesore të këtij konflikti luajtën një rol kyç në këtë histori : 
    - Së pari, Republika e Armenisë, që me anë të kryeministri të saj Nikol Pashinian vendosi të mos mbështeste ushtarakisht separatistët armenë. Kjo ishte një zgjedhje e detyruar prej duke pasur parasysh që forcat ushtarake azerbajxhanase ishin superiore ndaj atyre armene, por edhe një mënyrë për t’ju shmangur rrezikut të zhvendosjes së luftës brenda kufijve armenë. 
    - së dyti, Rusia, e cila ka rreth 2000 forca paqeruajtëse në këtë rajon, e cila jo vetëm që nuk ndërhyri për të kryer misionin e saj, por me sa duket lehtësoi firmosjen e kapitullimit nga separatistët. Kjo mund të interpretohej edhe si shenjë dobësie e prezencës së tyre në këtë rajon të Kaukazit, por në fakt, duket se rusët i kanë lënë armenët në mëshirë të fatit, pasi ata e kanë një dhemb kundër kryeministrit armen aktual Pashinian, i cili politikisht është i orientuar nga bota perëndimore. Mjafton të shohësh mediat ruse teksa e trajtojnë si një bukëshkalë në marrëdhëniet me Rusinë për të kuptuar rolin e kësaj të fundit në këtë konflikt. Nga ana tjetër, zëra kundër Pashinianit ja ngritur madje jo vetëm nga nacionalistët armenë të cilët e akuzojnë atë për tradhti e që tek rusët shihnin një aleat pragmatik, por edhe nga vetë opozita armene. 
    - së treti, Turqia, e cila i është gjendur pranë Bakut gjatë gjithë këtij konflikti dhe që në 24 orëshin e fundit gjeti një vitrinë për të reklamuar sërish efikasitetin e dronëve të saj Bajraktarë, prestigji i të cilëve ishte zbehur disa në luftën në Ukrahinë. 
    - së fundmi, Azerbaxhani - mbeten për t’u parë pasojat e këtij kapitullimi që do të shihen në vazhdim, pasi Baku nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për ripërfshirjen e këtij territori brenda kufijve të tij. Kësisoj, natyrshëm shtrohet pyetja mbi armenët etnikë që e banojnë këtë rajon, shumë prej të cilëve kanë filluar të braktisin vendin me shpejtësi pa pritur rezultatin e bisedimeve. 

Ndërkohë që debatohet ashpër në OKB mbi luftën në Ukrahinë dhe raketat ruse godasin pandërprerë objektivat ushtarakë dhe infrastrukturën civile ukrahinase, mbetet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja e ardhshme ruse në këtë rajon të Kaukazit tanimë që qeveria armene nga një anë dhe ushtria azerbajxhanse nga ana tjetër i kanë nxjerrë jashtë loje.

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire