dimanche 24 septembre 2023

Miliarderi Musk si aktor gjeopolitik në konfliktin ruso-ukrahinas

Në skenën e gjeopolitikës botërore, zbuluam befas një emër të papritur : Elon Musk, miliarderi amerikan, i njohur për kompanitë e tij Tesla, SpaceX, apo rrjetin social X, ish-Twitter, është bërë një aktor me ndikim të drejtëpërdrejtë në një ngjarje të fundit të luftës në Ukrainë. Një biografi e re e autorizuar e shkruar nga Walter Isaacson, zbulon se si Musk ka luajtur një rol vendimtar në një episod të këtij konflikti kompleks, duke nxjerrë në pah lehtësinë që mund të kenë disa sipërmarrës privat për të ndërhyrë si aktorë gjeopolitikë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve. 

Prej vitit 2022, Ukraina po përballet me një sfidë të madhe që prej agresionit që Rusia ndërmori në territorin e saj. Ushtria ukrainase kishte planifikuar një sulm me dronë detarë kundër flotës ruse në Detin e Zi, një operacion që kërkonte mbulimin satelitor të rrjetit Starlink, i zotëruar nga Musk. Por, mesa mësojmë nga biografia e Musk, miliarderi vendosi të çaktivizonte këtë mbulim mbi rajonin e Krimesë, me qëllim për të parandaluar sulmin. Me anë të këtij vendimi, ai mendonte se do të shmangte një sulm bërthamor rus ose një luftë të tretë botërore. 


Vendimi i Musk nuk është ndonjë kapriço e një miliardari që pasi ka publikuar disa twitte komike në X, gjeti kohë dhe të ndërhynte në konfliktin ruso-ukrahinas. Duket që Musk ka qenë i vëmendshëm ndaj këtij konflikti dhe deklaratave të aktorëve të përfshirë në të. Gjithsesi, ja vlen të shtrojmë disa pyetje: Nga buron legjitimiteti i Elon Musk për të ndikuar në një konflikt të caktuar ? Fakti që ai ka monopolin e një teknologjie të caktuar, a i jep atij edhe të drejtën për të ndikuar në rrjedhën e konfliktit ? Ndërkohë që administrata amerikane derdh me miliona dollarë në këtë konflikt, a ka pasur bashkërendim mes saj dhe një aktori privat si Musk ? 

Ngjarja, e cila mund të duket episodike, vë në dukje disa sfida të gjeopolitikës bashkëkohore. Veprimet e aktorëve privatë, si ato të miliarderit Musk, që me anë të fuqisë së tyre financiare mund të ndërhyjnë në çdo situatë ndërkombëtare, qoftë ky konflikt, negociata, etj.) ngrenë pyetje mbi aftësinë dhe fuqinë e Shteteve për t'i mbajtur nën kontroll këta aktorë kontroversë të gjeopolitikës. Kjo, pasi veprimet e tyre mund të kenë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve – Ukrahina, për shembull, shprehu indinjatën e saj për këtë ndërhyrje të Musk, ashtu si të tjerë e përshëndetën atë për ndërhyrjen e tij në konflikt. Por, nga ana tjetër, përtej indinjatës së shprehur, Ukrahina s’mund të bëjë më shumë, pasi funksionimi i disa sektorëve të saj ushtarakë (përdorimi në komunikacion apo i dronëve) varet kryesisht nga përdorimi i Starlink së Musk. 

Kjo situatë sjell në pah nevojën për Shtetet të rishikojnë rolin dhe aftësinë e tyre për të kontrolluar aktorët privatë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët në mënyrë progresive kanë rritur ndikimin e tyre në kompleksitetin e pejsazhit gjeopolitik. Gjithashtu, kjo çështje ngre pyetje mbi kapacitet e demokracive perëndimore për të mbështetur me logjistikë e duhur aleatët e tyre në rast konflikti, pa pasur nevojë që të varen nga burimet teknologjike të aktorëve privatë. Një pyetje gjithsesi mbetet për t’u përgjigjur në të ardhmen : ndoshta diplomacisë botërore i duhet të kompozojë tashmë me këta aktorë (jo dhe aq të rinj) të gjeopolitikës të cilët janë bërë tashmë faktorë në marrëdhëniet ndërkombëtare ?

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Kriza në Lampeduza si një sfidë e re për politikat migratore të Bashkimit Europian

  Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet në parlamentin europian, Bashkimi Europian (BE) po përballet me një situatë, jo dhe aq të pap...