mercredi 27 septembre 2023

Një kapitull francez që mbyllet në Niger ? Franca duhet të rishohë politikat e saj në Afrikë

 

Presidenti francez Emanuel Makron thirri ambasadorin francez në Niger dhe njoftoi largimin e 1,500 ushtarëve francezë nga ky vend. Ky vendim shënon një kthesë të madhe në politikat franceze në kontinentin afrikan. Ai vjen pas grushtit të shtetit të një junte ushtarake që ndodhi më 26 korrik 2023 në Niamei, kryeqytetin e  Nigerit dhe arrestimit prej tyre të presidentit të zgjedhur dhe të mbështetur nga Franca, Mohamed Bazum. Kjo gjendje ka detyruar Francën të rishikojë pozicionin e saj në Afrikë.

Pas grushtit të shtetit, Franca mbajti një pozicion të palëkundur në mbështetje të Mohamed Bazumit, duke e bazuar këtë në legjitimitetin që atij i buronte nga zgjedhjet. Megjithatë, me kalimin e kohës ky pozicion i Francës u bë i vështirë për t’u mbajtur pas protestave kundër interesave franceze në vend, dhe, simbolikisht, sidomos atyre të zhvilluara para ambasadës në Niamei.  Edhe pse u përfol për një ndërhyrje ushtarake rajonale për të rivendosur rendin kushtetues në Niger, kjo perspektivë u shua pasi mund të përkeqësonte situatën edhe më.


Franca kishte dërguar 1,500 ushtarë në Niger në kuadër të politikës së saj kundër terrorizmit në Sahel, por kjo prezencë është kritikuar nga ushtarakët puçistë. Ky qëndrim, nuk është i izoluar, pasi vjen pas një seri grushtesh shteti të ndodhur së fundmi pikërisht në shtetet e Afrikës frankofone, ku mund të vihet re se po kristalizohet edhe një sentiment anti-francez që e ka dobësuar legjitimitetin e Francës në këtë rajon. Francës tani i duhet të rishikojë praninë dhe pozicionin e saj në Afrikë, duke marrë parasysh aspiratat identitare të brezave të rinj afrikanë.

Gjithsesi, largimi i Francës nga Nigeri sjell sfida të mëdha për rajonin dhe thekson nevojën për të gjetur një qasje të re në marrëdhëniet franko-afrikane, marrëdhënie që dukshëm duhen rimenduar duke marrë parasysh historinë e tyre që pas periudhës së fundit të kolonizimit.

Pikërisht kësaj pike i rreh edhe regjimi ushtarak në Niger, i cili e akuzon Francën se duke dashur të ndërhyjë ushtarakisht në Nigeri për të rivendosur në pushtet Mohamed Bazumin, vazhdon të veprojë si një fuqi koloniale, akuzë që u refuzua me forcë nga Parisi dhe pasoi me tërheqjen e ambasadorit dhe forcave të saj ushtarake në vend.

Duhet thënë, që këto vendime tregojnë një kthesë në politikën afrikane të Francës që vjen pas tërheqjes së trupave të saj ushtarake edhe nga Mali, nga Afrika Qendrore dhe nga Burkina Faso. Pas verës së nxehtë, marrëdhëniet franko-afrikane duket se po kalojnë një periudhë të ftohtë që me siguri do të pasohet nga një tjetër, le ta quajmë një periudhë rikompozimi që ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e marrëdhënieve franko-afrikane. Fakt është që në në shahun e gjeopolitikës Franca duhet të përshtatet politikisht në nivel rajonal me një realitet të ndryshuar në Afrikë, kurse në nivel global duhet të marrë parasysh edhe lojën e fortë të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.  

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire

Kriza në Lampeduza si një sfidë e re për politikat migratore të Bashkimit Europian

  Në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet në parlamentin europian, Bashkimi Europian (BE) po përballet me një situatë, jo dhe aq të pap...